Cristiano Ronaldo vendos rekord të ri historik me Portugalinë

Nga A2 CNN
15 Tetor 2025, 16:02 | Futboll

Cristiano Ronaldo vendos rekord të ri historik me Portugalinë

Cristiano Ronaldo vazhdon të thyejë rekorde edhe në moshën 40-vjeçare. Sulmuesi portugez shkëlqeu sërish të martën, duke shënuar dy gola në barazimin 2-2 të Portugalisë kundër Hungarisë dhe duke u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e ndeshjeve kualifikuese të Kupës së Botës.

Para ndeshjes, Ronaldo ndante rekordin prej 39 golash me futbollistin e Guatemalës, Carlos Ruiz, por tani ai qëndron i vetëm në krye me 41 gola. Golin e parë e realizoi në minutën e 22-të, pas një pasimi të shkëlqyer të Nelson Semedos, ndërsa të dytin pak para përfundimit të pjesës së parë, duke shfrytëzuar një krosim të saktë të Nuno Mendes.

Në rrjetet sociale, pesë herë fituesi i “Topit të Artë” shprehu krenarinë për këtë arritje: “Përfaqësimi i kombëtares ka qenë gjithmonë nder i madh për mua. Jam shumë krenar që arrita këtë moment unik për Portugalinë. Faleminderit të gjithëve që më ndihmuan të mbërrij deri këtu. Shihemi në nëntor për ta mbyllur kualifikimin!”.

Ronaldo tani numëron 143 gola me kombëtaren, duke thelluar edhe më tej rekordin e tij historik si golashënuesi më i mirë në historinë e futbollit ndërkombëtar.

Megjithatë, dy golat e tij nuk mjaftuan për fitoren, pasi Dominik Szoboszlai barazoi për Hungarinë në minutën e 91-të. Portugalia mbetet ende e para në Grupin F me pesë pikë më shumë se Hungaria dhe do të ketë mundësinë të sigurojë zyrtarisht kualifikimin për Kupën e Botës më 13 nëntor në Dublin, kundër Irlandës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos