Derbi nis me mungesa, Tirana pa katër titullarë

Nga Dea Kozma
22 Shtator 2026, 09:47 | Futboll

Derbi nis me mungesa, Tirana pa katër titullarë

Përgatitjet për derbin e kryeqytetit kanë nisur me një problem për Dean Klafuriç. Tirana do të zhvillojë punën për sfidën ndaj Partizanit pa katër titullarë, të cilët janë grumbulluar me kombëtaret e tyre.

Bëhet fjalë për Visar Bekajn, Basilio Ndong, Xhozef Kollejn dhe Bojan Ilievskin, katër futbollistë të rëndësishëm në formacionin bardheblu. Kollej është grumbulluar për herë të parë me Gambian, ndërsa Bekaj është pjesë e Kosovës. Ilievski rikthehet pas një viti te përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut, ndërsa Ndong është grumbulluar me Guinenë Ekuatoriale.

Situata është disi e ndryshme për katër lojtarët. Kollej dhe Ndong pritet të mungojnë vetëm në fazën e përgatitjeve të këtij muaji, ndërsa Bekaj dhe Ilievski do të jenë të angazhuar me kombëtaret e tyre deri pak ditë para derbit, shkruan A2.

Kështu, Klafuriçi duhet të punojë me një grup të cunguar në këto ditë pushimi të kampionatit, ndërsa Tirana do të ketë në fokus rikuperimin dhe përgatitjen taktike për sfidën e madhe të kryeqytetit.

Partizani-Tirana është programuar për 11 tetor, ndaj bardheblutë kanë ende kohë për të rikthyer të gjithë grupin dhe për të përgatitur derbin që gjithmonë sjell një tjetër ritëm në futbollin e kryeqytetit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos