
Kombëtarja shqiptare ka nisur zyrtarisht përgatitjet për katër sfidat e radhës në UEFA Nations League. Kuqezinjtë janë grumbulluar në kryqytet dhe ne Shtëpinë e Futbollit zhvilluan edhe seancën e parë stërvitore nën drejtimin e trajnerit Rolando Maran.
Në ditën e parë të punës, lojtarët që kishin aktivizim me klubet e tyre gjatë fundjavës zhvilluan një seancë rikuperimi, ndërsa pjesa tjetër e grupit punoi me ushtrime taktike dhe në palestër. Përgatitjet do të vijojnë intensivisht, pasi Shqipërinë e pret një kalendar i ngjeshur me katër ndeshje brenda pak ditësh.
Ndërkohë, lista ka pësuar edhe ndryshime të fundit. Pas dëmtimit të Qazim Laçit, në skuadër u thirr Feta Fetai. Por ndryshimi më i fundit lidhet me Adrion Pajazitin, i cili pësoi një dëmtim në kofshë dhe do të mungojë rreth tre javë. Në vendin e tij, Maran ka grumbulluar mesfushorin e Dinamos, Klevi Qefalija, i cili do t’i bashkohet menjëherë ekipit.
Objektivi i vendosur nga trajneri italian është i qartë: Shqipëria synon vendin e parë në grup dhe për këtë kërkon një skuadër që lufton për çdo top dhe hyn në fushë me mentalitet fitues.
Sfida e parë është më 26 shtator ndaj Bjellorusisë, ndërsa vetëm tre ditë më pas kuqezinjtë do të presin San Marinon. Më 3 tetor Shqipëria udhëton për t’u përballur me Finlandën, ndërsa katër ndeshjet mbyllen më 6 tetor, me San Marinon në transfertë.
Një seri e ngjeshur sfidash, ku Maran do të kërkojë që puna e nisur në stërvitje të përkthehet menjëherë në rezultate. (A2 Televizion)