Dhuna në derbi Tirana-Partizani, 14 tifozë përjashtohen nga stadiumet

Nga Erald Kodhelaj
11 Dhjetor 2023, 14:50 | Futboll

Dhuna në derbi Tirana-Partizani, 14 tifozë përjashtohen nga

Përveç gjobave të majme të klubit, masat ndëshkuese për incidentet dhe dhunën në derbin e 3 dhjetorit ndërmjet Tiranës dhe Partizanit janë caktuar edhe për tifozët.

Komisioni i Disiplinës dhe Etikës vendosi përjashtimin nga stadiumet e futbollit për 14 ultras. Atyre u ndalohet hyrja në të gjitha impiantet e vendit ku zhvillohen aktivitetet e organizuara, teksa masa është e vlefshme për një periudhë të pakufizuar kohe.

Vendimi erdhi pas relacionit për ngjarjet në derbi, por edhe bazuar në korrespondencën me policinë e shtetit. Tifozët kanë shkelur nenin 48 të ligjit “Për Sportin”, që lidhet me “Ndalimin e provokimeve dhe sjelljeve të palejuara” të cilat “synojnë nxitjen e urrejtjes e të dhunës ndaj pjesëmarrësve në veprimtarinë sportive dhe/ose ndaj spektatorëve”.

Federata e futbollit publikoi edhe emrat e 14 tifozëve të cilëve u ndalohet hyrja në të gjitha veprimtaritë e organizuara nga ajo. Në njoftimin e dhënë, nuk specifikohet se cilës tifozeri të organizuar ata i përkasin.

Disiplinori ka udhëzuar të gjithë anëtarët të cilët kanë nën administrim stadiume futbolli, të garantojnë zbatimin e këtij vendimi. Gjithashtu një kopje i është përcjellë edhe Policisë së Shtetit, për të bërë të mundur që tifozët problematikë të përjashtuar të mos jenë më të pranishëm në tribuna gjatë ndeshjeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos