Komisioni i Disiplinës nuk është kursyer aspak në vendimet e marra në mbledhjen e fundit për vitin 2023.
Shumë gjoba dhe pezullime në të gjitha kategoritë. Tirana, Kukësi, Vllaznia, Erzeni, Teuta dhe Partizani, janë ndëshkuar me gjoba për sjellje të gabuar të tifozëve dhe ngjarje të cilat kanë shkaktuar probleme në ndeshje.
Dënimit nuk i ka shpëtuar as futbollisti shkodran Esin Hakaj që në përfundim të klasikes Tirana-Vllaznia u ndëshkua me karton te kuq. Komisioni i Disiplinës vendosi ta dënojë me 4 ndeshje pezullim, lojtarin kuqeblu.
Pas afro 1 muaji është marrë vendimi dhe për ngjarjen e shëmtuar në futbollin e vajzave mes Vllaznisë dhe Tiranës.
Komisioni i ka nxjerrë në njëfarë mënyre të dyja ekipet si humbëse të sfidës në fjalë. Vllaznia është konsideruar si shkaktare e dhunës dhe është dënuar duke e humbur ndeshjen 3-0 në tavolinë, por nga ana tjetër dhe Tiranës,si pritëse e kësaj sfide, për mosmarrje masash organizative i janë hequr 3 pikë.
Përveç kësaj, janë përjashtuar për këtë sezon nga te gjitha aktivitetet futbollistike presidenti i Vllaznisë për femra, Lazër Matlija, si dhe drejtoresha e Tiranës për femra, Edonisa Aliu ndërsa për lojtaret e përfshira në sherr, nuk ka asnjë dënim. (A2 Televizion)