Dhuna te femrat, Tirana fiton në tavolinë me Vllazninë, por i hiqen 3 pikë në renditje

Nga Erald Kodhelaj
29 Dhjetor 2023, 09:58 | Futboll

Komisioni i Disiplinës dhe Etikës ka marrë vendimet e fundit. Vëmendja më e madhe është te ndëshkimet e dhëna për dhunën në klasiken e futbollit të femrave, në sfidën mes Tiranës dhe Vllaznisë.

Nga aktivitetet futbollistike për këtë sezon janë përjashtuar Presidenti i Vllaznisë, Lazer Matija dhe drejtoresha e Tiranës, Edonisa Aliu.

Skuadra bardheblu ka fituar ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0, ndërkohë që po kryeqytetasve do i hiqen 3 pikë për shkak se nuk siguruan dot ecurinë normale të ndeshjes. Në Superiore, Partizani është gjobitur për sjellje të gabuar të spektatorëve.

Të kuqtë, për dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Air Albania”, duhet të dëmshpërblejnë brenda 15 ditëve. Gjithashtu, u gjobitën edhe Kukësi, Tirana, Erzeni, Vllaznia e Teuta.

Një tjetër vendim që ra në sy është pezullimi i mbrojtësit Esin Hakaj me katër ndeshje, për shkak të provokimit ndaj tifozëve. Gjithsej, janë 29 vendime të cilat do të hyjnë në fuqi menjëherë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos