Java e 16-të e Kategorisë Superiore nisi me befasi në Loro Boriçi. Dinamo fitoi 3 me 2 kundër Vllaznisë, në një ndeshje që e dominoi për minuta me radhë.
Golat e suksesit u shënuan nga Zabërgja dhe dy nga portugezi Nani në harkun e 53 minutave. Shkodranët reaguan shumë vonë dhe rrjetat e Çobës e Spahijas në 3 minutat e fundit nuk mjaftuan.
Te fitorja u kthye Elbasani, që mposhti 3 me 1 Bylisin. Kasa dhe Lleshi dy herë i dhanë verdhebluve suksesin që mungonte prej tetë javësh në kampionat. Vetëm barazim 1 me 1 ndërmjet Teutës dhe Laçit, që mbeten në zonën e ftohtë të klasifikimit.
“Bëmë presing shumë të lartë por nuk përfituam avantazh nga kjo mënyrë loje. Në minutat e parë ishim mirë, dukej sikur ishim në lojë, sepse fitimi i terrenit nga presingu të jep besim. Gabuam në tre rivënie anësore që sollën golat e kundërshtarëve. Kur humbet topa të tillë, nuk mund të fitosh ndaj asnjë ekipi. Kaq e thjeshtë është. E dimë që Dinamo ka ekip të mirë, por jemi të bindur që mund të fitojmë ndaj tyre. Por nuk mund të bëjmë gabime kaq të lehta. Kemi potencial të shënojmë dhe në 10 minutat e fundit e treguam fytyrën tonë të vërtetë. Por ishte shumë vonë dhe më vjen keq për performancën, për tifozët, se e dimë se mund të bëjmë më mirë se kaq”, tha trajneri i Vllaznisë, Thomaz Brdariç. (A2 Televizion)