Festë kuqezi në Pragë, Shqipëria nis me fitore Ligën e Kombeve

Nga A2 CNN
7 Shtator 2024, 22:41 | Futboll

Me copëza të vyera si Broja e Gjimshiti që mungojnë, por me shumë grintë dhe agresivitet Shqipëria e ka nisur në mënyrë perfekte rrugëtimin në Ligën e Kombeve, pas performancës kualitative në Euro 2024.

Djemtë e teknikut Silvinjo dhuruan një performancë emocionuese përballë Ukrainës, në ndeshjen e vlefshme për Ligën B, luajtur në “Epet Arena” të Pragës.

Në pjesën e parë kuqezinjtë patën të paktën 3 raste shënimi me Laçin, Asllanin dhe Manajn, por pa mundur të finalizonin, raporton A2.

Ukraina ishte thuajse e përgjumur, por u zgjua me nisjen e pjesës së dytë ku gjeti golin e parë të kësaj sfide me Konoplya. Mbrojtësi i djathtë i ukrainasve gjeti të papërgatitur mbrojtjen duke shënuar në minutën e ’49 të sfidës.

Golit të tij Shqipëria iu përgjigj shumë shpejt. Kuqezinjtë nisën të sulmonin dhe në vetëm 5 minuta ia dolën të barazonin sfidën me Ardian Ismajlin, i cili në minutën e ’55 dërgoi në rrjet një top të ardhur nga goditja e këndit, përcjell A2.

Pas golit të barazimit kuqezinjtë vendosën diktatin në lojë dhe në minutën e ’66 arritën të gjejnë golin që përmbysi sfidën.

Pas një qarkullimi perfekt të topit nga e majta, Rei Manaj u fut bukur në zonë dhe më pas asistoi mrekullisht brenda zonës Asanin që erdhi furishëm nga krahu i djathtë i sulmit dhe dërgoi topin në rrjetë, shkruan A2.

Shqipëria fiton kështu me rezultatin 2-1 sfidën e parë në grup dhe pret të martën në mbrëmje Gjeorgjinë në “Air Albania”, me kuqezinjtë që rikthehen të luajnë para publikut të tyre në Tiranë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos