Goditje e minutave të fundit, Inter merr mbrojtësin e Manchester City

Nga A2 CNN
1 Shtator 2025, 16:19 | Futboll

Goditje e minutave të fundit, Inter merr mbrojtësin e Manchester City

Lëvizje surprizë në ditën e fundit të merkatos edhe tek Interi. Zikaltërit kanë arritur një marrëveshje të minutës së fundit me mbrojtësin zviceran Manuel Akanji, duke e transferuar nga Manchester City.

Kjo marrëveshje nuk ka lidhje me Pavard, i cili mbetet në shënjestrën e Marsejës, pasi klubi francez i ka ofruar një huazim me mundësi blerjeje dhe pagën e tij të mbuluar plotësisht, por nuk është e sigurt nëse ai do të largohet nga Milano.

Sa i përket Akanjit, gjithçka është bërë me Cityn. Zvicerani mbërrin në Itali në formë huazimi, 1 milion euro menjëherë me një opsion blerjeje prej 15 milionë eurosh, i cili bëhet i detyrueshëm në rast të fitimit të Scudettos.

30-vjeçari zviceran nuk e ul moshën mesatare të mbrojtjes, por sigurisht sjell përvojë dhe qëndrueshmëri, që kompenson vetëm pjesërisht një afat kalimtar që i ka zhgënjyer tifozët zikaltër, të cilët kanë ëndërruar për Lookman gjatë gjithë verës.

Në vend të kësaj, Diouf, i blerë në mesin e gushtit, Bonny që u zyrtarizua në fillim të korrikut, braziliani Luis Henrique që nënshkroi për Kupën e Botës për Klube, dhe Suçiç, i blerë në fillim të dimrit të kaluar janë emrat e rinj në kampin zikaltër. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos