Arbër Hoxha vazhdon të impresionojë me paraqitjet e tij në Kroaci. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ishte protagonisti kryesor në fitoren e Dinamo Zagrebit ndaj Slaven Belupos.
26-vjeçari zhbllokoi sfidën duke shënuar një gol mjaft të bukur. I vetëm në zonë dhe i rrethuar nga disa mbrojtës rivalë, Hoxha kombinoi shkëlqyeshëm me Ljubicic dhe “vallëzoi” përpara portës, duke dërguar topin në rrjetë pa shumë vështirësi.
Por performanca e tij nuk përfundoi me kaq. Në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, ai dhuroi edhe një asist për golin e dytë të Dinamos, duke e mbyllur fraksionin e parë me avantazhin 2-0.
Ky ishte një tjetër sinjal i qartë për trajnerin e Shqipërisë, Sylvinho, i cili po përgatitet për sfidën vendimtare ndaj Serbisë në kuadër të kualifikueseve për Botërorin 2026. Forma e Hoxhës vjen në momentin më të duhur dhe rrit konkurrencën në repartin ofensiv të kuqezinjve. (A2 Televizion)