Mes përgatitjeve verore dhe tratativave të merkatos, Milani i ri me Igli Taren si drejtor sportiv dhe Massimiliano Allegrin në pankinë, po hedh hapat e parë drejt një epoke të re.
Ish-drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare, ka folur hapur për impaktin e parë në ambientin kuqezi, duke u shprehur i impresionuar nga struktura organizative e klubit. “Jam shumë i surprizuar nga organizimi i shoqërisë. Të gjithë kanë bërë gjithçka që unë dhe trajneri të punojmë në kushtet më të mira për të nisur projektin siç duhet. Por rruga për të bërë është ende e gjatë,” tha Tare gjatë një aktiviteti me sponsorët e klubit, shkruan A2 CNN.
Rikthimi i Allegrit në pankinën e Milanit, pas 11 vitesh largimi, shihet si një mesazh i qartë: skuadra kërkon kthesën pas një sezoni zhgënjyes. “Duhej një përgjigje e menjëhershme, një trajner me eksperiencë dhe fitues. Nuk kemi pasur dyshime. Unë dhe Giorgio shkuam në Lugano për të biseduar me Allegrin dhe brenda pak orësh kuptuam se ekzistonte sinergjia e duhur për të nisur këtë rrugëtim,” tregoi Tare.
Nga ana e tij, Massimiliano Allegri ka theksuar se suksesi i Milanit do të matet vetëm me rezultate. “Stërvitjet duken mirë, por të gjithë janë të mirë në korrik. Puna e vërtetë fillon kur nisin ndeshjet. E di që do të përballemi me vështirësi, por jemi të përgatitur. Është një emocion i madh të kthehem këtu, por respekti fitohet vetëm duke punuar me seriozitet dhe duke sjellë rezultate,” tha Allegri. (A2 Televizion)