Ismajli mbetet në elitën e Italisë, nënshkruan kontratë 2 vjeçare me Torinon

Nga A2 CNN
8 Korrik 2025, 21:46 | Futboll

Ismajli mbetet në elitën e Italisë, nënshkruan kontratë

Ardian Ismajli mbetet në Serie A. Pasi mbylli eksperiencën me Empolin, gjigandi i mbrojtjes së Kombëtares shqiptare ka hedhur firmën në një kontratë të re 2-vjeçare me Torinon.

Klubi granata përmes një postimi në rrjetin social Instagram shkruan se “ka kënaqësinë të njoftojë se ka nënshkruar kontratë me lojtarin deri më 30 qershor 2027, me një opsion për sezonin pasardhës”.

Ismajli, i cili ka lindur në Kosovë, më 30 shtator 1996 është rritur si futbollist në ekipet e të rinjve të 2 Korrikut, ndërsa në vitin 2016 ai u transferua te Hajduk Split, një ekip me të cilin bëri debutimin e tij profesional në futboll më 14 maj 2016 në një ndeshje kundër NK Zagreb.

Ai luajti 93 ndeshje me ekipin kroat, duke shënuar 2 gola dhe duke dhënë 2 asiste, dhe gjithashtu duke marrë pjesë në ndeshjet kualifikuese të Europa League. Në shtator 2020 ai mbërriti në Itali, në Spezia. Me Ligurianët, Ismajli bëri 21 paraqitje, duke shënuar një gol dhe duke dhënë dy asiste.

Vitin pasardhës ai u ble nga Empoli, një ekip me të cilin luajti katër sezonet e fundit për një total prej 106 paraqitjesh midis kampionatit dhe Kupës së Italisë. Ismajli gjithashtu ka zhvilluar 45 ndeshje me Shqipërinë, duke shënuar edhe 3 gola me ekipin kombëtar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos