Lajmi i fundit nga Serbia, gazetari i A2 CNN: Jo më shumë se 4 mijë tifozë në Leskovac

Nga A2 CNN
11 Tetor 2025, 14:29 | Futboll

Altin Sulçe, gazetari i “Mega Sport” në A2 CNN, raportoi një lajm të fundit nga Leskovaci se për ndeshjen e sotme mes Serbisë dhe Shqipërisë pritet një prani e kufizuar tifozësh, për shkak të masave të sigurisë të vendosura nga autoritetet serbe.

“Sot do të jenë rreth 3,500 tifozë serbë, jo më shumë se 4 mijë. Ky vendim është marrë për të garantuar sigurinë maksimale gjatë ndeshjes. Serbia ishte dënuar për të mbyllur 20 përqind të stadiumit, por autoritetet kanë zgjedhur ta redukojnë edhe më shumë numrin e spektatorëve”, tha Sulçe.

Gazetari shtoi se kushtet e fushës nuk janë të mira, për shkak të reshjeve të fundit, çka mund të krijojë vështirësi gjatë pjesës së dytë të lojës, shkruan A2 CNN.

Sulçe konfirmoi gjithashtu se në stadium është vendosur flamuri kombëtar shqiptar, ndërsa çdo element simbolik është kontrolluar me kujdes nga organizatorët.

Sfida Serbi–Shqipëri do të luhet nën masa të rrepta sigurie, me forca speciale të vendosura në dhe jashtë stadiumit, për të shmangur çdo incident gjatë kësaj përballjeje të tensionuar në Leskovac. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos