Brenda hotelit të kombëtares shqiptare në Leskovac, gazetari: Si një ishull i izoluar nga forcat speciale serbe

Nga A2 CNN
11 Tetor 2025, 14:07 | Futboll

Brenda hotelit të kombëtares shqiptare në Leskovac, gazetari: Si

Gazetari i “Mega Sport” në A2 CNN, Altin Sulçe, raportoi nga hoteli ku ndodhet kombëtarja shqiptare në Leskovac, për ndeshjen e mbrëmjes ndaj Serbisë.

Sulçe përshkroi ambientin si një “ishull të izoluar nga forcat policore”, rreth 10 kilometra larg Nishit, ku delegacioni shqiptar po përgatitet për sfidën. Lojtarët janë shfaqur të qetë dhe të përqendruar, ndërsa atmosfera tregon seriozitetin dhe përgjegjësinë e madhe që ata ndjejnë për këtë ndeshje.

Gazetari tha se kombëtarja nuk ka hyrë fare në aeroportin e Nishit, pasi pasaportat u mblodhën dhe u dërguan direkt në hotel. E njëjta procedurë u ndoq edhe gjatë konferencës për shtyp dhe stërvitjes së ditës së djeshme.

Gjatë gjithë perimetrit të hotelit ka numër të madh policësh, ndërsa forcat speciale serbe janë vendosur për të izoluar çdo kontakt të mundshëm me delegacionin shqiptar.

Sulçe theksoi se ekipi do të nisë rreth orës 18:30 drejt stadiumit, ndërsa pritshmëritë mbeten që secili nga lojtarët të jetë në formë të mirë për këtë përballje të tensionuar, shkruan A2 CNN.

Ndeshja Serbi-Shqipëri pritet të zhvillohet nën masa të rrepta sigurie, duke garantuar që delegacioni shqiptar të jetë i mbrojtur dhe i izoluar nga çdo ndërhyrje e jashtme.

“Jemi në hotelin e kombëtares, 10 kilometra larg Nishit dhe gjithçka është si një ishull i izoluar nga forcat policore. Rreth orës 18:30 ekipi do të niset drejt stadiumit. Lojtarët janë shfaqur shumë të qetë këtu në hotel, por përqendrimi për këtë ndeshje është shumë i madh e sheh në sytë e tyre kur bisedon. Përgjegjësia është e madhe dhe shpresojmë që secili nga djemtë të jetë në formë të mirë. Nuk hymë fare në aeroportin e Nishit, na mblodhën pasaportat dhe na i sollën në hotel. E njëjta gjë ndodhi edhe dje gjatë konferencës për shtyp dhe stërvitjes. Gjatë gjithë perimetrit të hotelit ka vetëm policë, nuk hynë asnjeri. Tashmë kanë ardhur edhe forcat speciale serbe për të izoluar gjithçka lidhur me kontaktin e delegacionit shqiptar”, tha Sulçe. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos