Legjendat e Holandës Haan e Krol në Tiranë, ish-trajneri i Shqipërisë: Nuk njoh asnjë lojtar

Nga A2 CNN
19 Tetor 2025, 23:48 | Futboll

Dy legjenda të futbollit holandez, Arie Haan dhe Ruud Krol, kanë folur ekskluzivisht për Mega Sport në A2 CNN gjatë vizitës së tyre në Tiranë, në kuadër të Javës Kulturore Holandeze dhe 55-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Holandës.

Ish-trajneri i kombëtares shqiptare, Arie Haan, tha se ndihet i lumtur që është rikthyer në vendin tonë. “Jam këtu për të marrë pjesë në këtë aktivitet kulturor që shënon një moment të rëndësishëm mes dy vendeve”, u shpreh ai.

Duke komentuar mbi futbollin shqiptar, Haan tha se ndonëse nuk e ndjek rregullisht kombëtaren, është i impresionuar nga rezultatet e fundit. “Rezultatet po përmirësohen dhe mendoj se Shqipëria ka shanse të mira, madje edhe kundër Serbisë. Nuk njoh asnjë, por e di se lojtarët shqiptarë luajnë jashtë vendit, në kampionate të forta, dhe kjo ndihmon shumë në rritjen e tyre profesionale”, tha ish-trajneri.

Ai kujtoi me nostalgji periudhën kur drejtonte kombëtaren: “Në muze pashë disa nga ish-lojtarët e mi, Skela, Lala, Cana, që ishin ndër më të rëndësishmit. Kemi bërë mirë ndaj Suedisë dhe Portugalisë, edhe pse humbnim ngushtë. Ky është futbolli,” shtoi Haan, duke theksuar se ndihet “si në shtëpi” në Shqipëri.

Ndërkohë, Ruud Krol tha se është surprizuar nga ndryshimet në Tiranë që nga vizita e tij e fundit. “Qyteti është transformuar. Arkitektura është moderne dhe e bukur. Është kënaqësi të shoh që marrëdhëniet mes dy vendeve vazhdojnë të forcohen”, tha ai.

Sa i përket futbollit shqiptar, Krol vlerësoi rritjen e cilësisë: “Shumë lojtarë shqiptarë luajnë jashtë dhe sjellin përvojë e kualitet. Kjo reflektohet në rezultatet pozitive”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos