Ka një arsye pse Marcelo Bielsa njihet me nofkën “El Loco” (I çmenduri). Trajneri veteran argjentinas, i cili aktualisht drejton përfaqësuesen e Uruguajit, ka vendosur që për ndeshjen e radhës të grumbullojë në kombëtare një futbollist amator.
68-vjeçari i ka dhënë ftesën sulmuesit 24-vjeçar Walter Dominguez për të luajtur së bashku me yje si Darwin Nunez (Liverpool) apo Fede Valverde (Real Madrid). Dominguez luan me ekipin gjysmë-profesionist Juventud de Soriano, me të cilin këtë sezon ka shënuar 38 gola në 19 ndeshje të luajtura.
Uruguai do të luajtë në 31 maj një miqësore ndaj Kosta Rikës, por duke qenë se trajneri Bielsa nuk mund të grumbullojë lojtarët e ekipeve kryesore të vendit (Nacional, Penarol, Liverpool, Racing apo Danubia) për shkak se janë të angazhuara në kompeticione si Kupa Libertadores apo Sudamericana, ka vendosur që t’i japë shansin një lojtari amator.
(A2 Televizion)