Emisioni “Mega Sport”, moderuar nga Altin Sulçe, ka nisur sezonin e ri në A2 CNN. Gazetari Gjergji Stefa, i ftuar në premierë, ka kritikuar ashpër ekipet e kampionatit shqiptar për një menaxhim të dobët. Sipas tij klubet shqiptare nuk i shfrytëzojnë rrjetet sociale për marketing, teksa shton se edhe dyqanët e celularëve i konkurrojnë në këtë pjesë.
“Ka një statistikë të INSTAT-it që thotë se shqiptarët janë populli me ‘social network’-dashës në Europë. Që do të thotë se 95% e shqiptarëve mbi 16-vjeç përdorin rrjetet sociale në mënyrë sistematike. Madje 65% e bizneseve e kanë përqendruar strategjinë e tyre të marketingut në Shqipëri në rrjetet sociale. Janë miliarda euro që biznese të mëdha apo të vogla shpenzojnë për të promovuar produktet e tyre’, tha fillimisht Stefa.
Ku qëndron problemi? – “Problemi është që futbolli dhe klubet e futbollit nuk janë as në nivelin e një dyqani celularësh në strategjinë e marketingut. Nuk janë, me gjithë respektin. Se me agjencitë imobiliare, me agjensitë e marketingut, me telekomunikacionin nuk krahasohen fare. Edhe një dyqan celularësh, me gjithë respektin që kam për dyqanet e celularëve, i konkurron klubet e futbollit për marketing dhe për menaxhim. Përveçse nuk e përdorin rrjetin social, nuk përdorin as marketingun ‘offline’, i cili është rikthyer shumë në modë jashtë shtetit”, tha Gjergji Stefa në emisionin Mega Sport, i cili do të transmetohet çdo të diel në orën 22:00 në A2 CNN. (A2 Televizion)