Sol Bamba, mbrojtësi legjendar i Premier League është ndarë nga jeta në moshën 39-vjeçare. Bamba njihej si një nga djemtë e mirë të futbollit dhe luajti për Leeds United, Middlesbrough, Cardiff City, Leicester dhe Trabzonspor.
Bamba pasi vari këpucët në gozhdë nisi të punonte në klubin turk Adanaspor, të cilët edhe njoftuan lajmin për vdekjen e tij.
“Drejtori ynë teknik Souleymane Bamba, i cili u sëmur para ndeshjes kundër Manisa Football Club dje, u dërgua në Spitalin Universitar Manisa Celal Bayar dhe fatkeqësisht humbi betejën e tij për jetën atje. Ngushëllimet tona për familjen e tij dhe komunitetin tonë”, shkroi Adanaspor, citon A2.
Pas vdekjes së tij, klubi nga Uellsi e cilësoi Bamba si një legjendë. "Si lojtar dhe trajner, ndikimi i Sol në klubin tonë të futbollit ishte i pamatshëm. Ai ishte një hero për të gjithë ne, një lider në çdo dhomë zhveshjeje dhe një zotëri i vërtetë. Mendimet tona janë me miqtë e tij, familjen dhe të gjithë me fat që e njohin dhe e duan Sol”, thuhet në reagimin e Cardiff City.
Për ish-kapitetin e tyre reagoi edhe klubi i Leeds United duke thënë se janë të shkatërruar nga lajmi i kobshëm i ndarjes së tij nga jeta.
"Mendimet dhe ngushëllimet tona janë me familjen dhe miqtë e tij në këtë kohë tragjike. Pusho në paqe Sol, do të jesh përgjithmonë në zemrat tona."
Bamba ka lindur në Francë, por zgjodhi të përfaqësojë në nivelin ndërkombëtar, Bregun e Fildishtë, duke veshur 46 herë fanellën e vendit të lindjes së prindërve të tij. (A2 Televizion)