Partizani harron të fitojë, fund i “çmendur” në takimin Teuta-Egnatia

Nga A2 CNN
11 Dhjetor 2023, 19:11 | Futboll

Partizani harron të fitojë, fund i “çmendur”

Dy ndeshjet e fundit të javës së 16 në Kategorinë Superiore, Partizani-Skënderbeu dhe Teuta-Egnatia, janë mbyllur në barazim.

Partizani ka marrë barazimin e 5 radhazi në Superiore, duke mos arritur pikët e plota edhe në sfidën ndaj Skënderbeut të Korçës, ndeshje e cila është mbyllur në barazim 1-1. Yuri Merlim i dha epërsinë skuadrës korçare në fundin e pjesës së parë, ndërsa goli i Partizanit u shënua nga Mba me kokë sapo nisi pjesa e dytë.

Ndërkohë, Teuta-Egnatia është mbyllur në barazim 2-2, me tre gola të realizuar në fundin e sfidës. Daci u dha epërsinë vendësve në minutën e 18-të, por Egnatia u kundërpërgjigj me Mohamed Lemine Dah dy minuta para përfundimit të kohës së rregullt. E pabesueshmja ndodhi në limitet e kohës shtesë: Fili ktheu në gol një 11-metërsh në favori të Teutës në 90+6’ dhe sapo rinisi loja nga mesfusha, rrogozhinasit barazuan me Mustën.

Pas këtyre takimeve, Egnatia ruan vendin e parë me 34 pikë, ndërsa Partizani mbetet i dyti me 31 pikë, 12 më shumë se Tirana e vendit të tretë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos