Gjashtëmbëdhjetë skuadra në fazën play off të Europa League. Milani e Roma kanë mësuar kundërshtarët e mundshëm, përpara shortit të 18 dhjetorit që do të hidhet në Nion.
Verdhekuqtë janë në vazon e ekipeve të vendeve të dyta në Europa League, ndërsa Milani në vazon e skuadrave që u pozicionuan të tretat në Champions dhe vijojnë aventurën europiane një shkallë më poshtë.
Duke qenë se rregullorja përcakton që ekipet e të njëjtit shtet nuk mund të ndeshen në këtë fazë, rivalët e mundshëm të Romës janë Benfica, Feyenoord, Galatasaray, Braga, Lens, Shakhtar ose Young Boys.
Në anën tjetër, Milanin mund ta presë derbi me Marseille e Gattuso. Mes rivalëve të tjerë të mundshëm janë Freiburg, Qarabag, Rennes, Toulouse, Sparta Praga ose Sporting Lisbona. Ndeshjet e para play off janë përcaktuar që të luhen më 15 shkurt, ndërsa takimet e kthimit në datën 22 shkurt. Fitueset e tetë çifteve do ti bashkohen 8 skuadrave që i mbyllën grupet e Europa League në vendin e parë.
Shorti për ndeshjet e 1/8 të eventit të dytë për nga rëndësia në kontinent do të hidhet më 23 shkurt. Skuadrat që eliminohen në fazën e 1/8 do të jenë përfundimisht jashtë Europës për këtë edicion. (A2 Televizion)