Tirana mirëpret Forumin e Investimeve EU–WB6, IPA-të e Ballkanit nënshkruajnë memorandum për bashkëpunim

Nga A2 CNN
13 Tetor 2025, 22:25 | Aktualitet

Tirana mirëpret Forumin e Investimeve EU–WB6, IPA-të e Ballkanit

Në Tiranë po zhvillohet në datat 13-14 tetor Forumi i Investimeve EU–WB6. Ky forum shënon një hap të rëndësishëm drejt integrimit ekonomik evropian, duke kthyer Tiranën në qendrën e Ballkanit Perëndimor.

EU-WB6 bashkon liderë rajonalë dhe ndërkombëtarë, agjenci homologe të investimeve dhe aktorë ekonomikë që ndajnë një vizion të përbashkët për një të ardhme bashkëpunimi, zhvillimi dhe besimi reciprok në rajon

Aktiviteti i parë i forumit, “IPAs Connect”, çeli siparin e këtij eventi dy-ditor, duke vënë në qendër të vëmendjes bashkëpunimin rajonal dhe nxitjen e investimeve të huaja direkte në rajon.

Përfaqësues nga institucionet e Bashkimit Evropian, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Banka Botërore dhe agjencitë e promovimit të investimeve nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor prezantuan punën e tyre, kornizën ligjore dhe fushat prioritare të investimeve, si dhe ndanë sfidat me të cilat përballen në tërheqjen e investimeve të huaja.

Gjashtë shtetet pjesëmarrëse në IPA’s connect ishin:

Albanian Investment Development Agency (AIDA) – Shqipëri

Foreign Investment Promotion Agency (FIPA) – Bosnjë dhe Hercegovinë

Kosovo Investment and Enterprise Support Agency (KIESA) – Kosovë

Montenegrin Investment Agency (MIA) – Mali i Zi

Invest North Macedonia – Maqedonia e Veriut

Development Agency of Serbia (RAS) – Serbi

Nga këto agjenci u paraqit vizioni i përbashkët për rritjen e konkurrueshmërisë rajonale dhe bashkëpunimin ndërkufitar, me fokus te zhvillimi ekonomik dhe mbështetja e bizneseve.

Në sesionin hapës morën fjalën Hoa-Binh Adjemian, përfaqësues i Komisionit Evropian (DG NEAR), Umut Ergezer, përfaqësues i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) dhe Márton Kerkapoly, përfaqësues i Bankës Botërore.

Përfaqësuesit e këtyre institucioneve theksuan se progresi i reformave është thelbësor për të ruajtur besimin në institucionet publike dhe në Bashkimin Evropian, si dhe për të krijuar një klimë të qëndrueshme investimesh në të gjithë rajonin.

Ata përshëndetën iniciativën për t’u bërë bashkë në një tryezë dhe vullnetin për bashkëpunim të mëtejshëm ndërmjet agjencive të investimeve.

Tirana mirëpret Forumin e Investimeve EU–WB6, IPA-të e Ballkanit

 Agjencitë e mëdha evropiane të promovimit të investimeve nga Gjermania, Franca, Italia, Hungaria dhe Qiproja ndanë përvojat e tyre të suksesshme në ndërtimin e politikave të qëndrueshme ekonomike dhe mbështetjen e investitorëve.

Ky shkëmbim përvojash u vlerësua si një mundësi e rëndësishme për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet agjencive të rajonit dhe për ta pozicionuar Ballkanin Perëndimor si një destinacion të përbashkët dhe tërheqës për investime.

Në përfundim të takimit mes IPA-ve u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi (MOU) mes Agjencisë Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve (AIDA) dhe Agjencisë së Promovimit të Investimeve të Bosnjës dhe Hercegovinës (FIPA).

Ky memorandum synon forcimin e bashkëpunimit institucional, nxitjen e iniciativave të përbashkëta, dhe realizimin e ideve të reja investimi që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të rajonit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos