Nuk ka presion dhe do të luajmë vetëm për fitore. Kështu janë shprehur Indrit Tuci dhe Ylber Ramadani në konferencën e zakonshme për shtyp. Dy futbollistët ishin optimistë se mund të bëjnë mirë në ndeshjen me Çekinë, ndonëse përballë kanë kundërshtarin më të fortë në grup.
Ylber Ramadani tha se me këdo që do të luajë në krahë, ndihet mirë. Rendësi për të ka vetëm të marri maksimumin.
“Unë me këdo që të luaj ambientohem shpejt, unë mund të rri dhe mbrapa për të ndihmuar mbrojtjen. E di trajneri për mënyrën e vendosjes në fushë. Nuk lodhem asnjëherë, por ata që më ndihmojnë është mirë dhe jap gjithçka për të luajtur më mirë. Nuk i shikoj statistikat, por vetëm analizën e trajnerit, nuk kam kohë për ti shikuar.Sulmuesi i Çekisë është shumë i gjatë dhe duhet ta mbulojmë dy veta, është i fortë fizikisht, ai e bën gjithë lojën e Çekisë. Të gjithë që kemi ardhur këtu duam që të marrim rezultatet pozitive. Do bëjmë maksimumin për ti marrë fitore. Do të ndryshojmë qasjen dhe përkushtimin në ndeshje”, tha Ramadani.
Indrit Tuci e ëndërron golin me kombëtaren shqiptare. Pas paraqitjes pozitive ndaj Gjeorgjisë me të cilën ishte dhe debutimi i tij me ngjyrat kuqezi, tani sulmuesi kërkon edhe më shumë se kaq..
“Nuk kam presion, por me qejf pasi është hera ime e parë që do të luaj në Air Albania dhe do të jetë sold-out. E marr më shumë si tip motivimi dhe jo presioni, unë jam gjithmonë i gatshëm për të dhënë më të mirën. I njoh mirë çekët, se kanë një stil loje me topa të gjatë dhe fizikisht të fortë. Duhet ti mbulojmë sa më mirë dhe ti neutralizojmë, dhe të kënaqim tifozët. Besoj që jam gati se kam bërë gjithë kontrollet, më kanë dalë me sukses, këtu jemi për Kombëtaren dhe duhet të japim gjithçka. S’mund të them që janë pak 3 gola në 4 ndeshje, ne kemi 6 pikë aq sa kanë dy skuadra të tjera, ne të gjithë duam të shënojmë gol por do tja dalim me sukses se po stërvitemi mjaft mirë”, tha Tuci.
Ndeshja Shqipëri- Republikë ceke do të luhet mbrëmjen e 16 nëntorit në Arenën Kombëtare në kryeqytet.
(A2 Televizion)