Etapa e FIA CEZ Hill Climb në Maqedoninë e Veriut ka sjellë një rezultat historik për sportet motorike në Shqipëri. Gentjan Shaqirifitoi garën e zhvilluar në Ponikva, jo vetëm në kategorinë e tij, por edhe në klasifikimin e përgjithshëm.
Një rezultat i jashtëzakonshëm, por mbi të gjitha i paprecedent. Profesori i Universitetit të Tiranës me pasionin për garat e shpejtësisë bëhet piloti i parë shqiptar që realizon një arritje të këtyre përmasave, shkruan A2 CNN.
Me makinën e tij Tatuus FR2000, Shaqiri e ndali kronometrin në kohën 3 minuta, 26 sekonda e 64 të qindtat. Ai la pas të gjithë rivalët, ku ndjekësi më i afërt ishte mbi 6 sekonda më i ngadaltë në cirkuitin e vështirë dhe terrenin malor.
Ky është edhe rezultati më i mirë i pilotit për vitin2024, në aktivitetin zyrtar të Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit, e njëjta që organizon edhe garat e Formula Një. Deri më tani, paraqitjet më të mira të Gentjan Shaqirit ishin regjistruar në garat e Kullës dhe të Brezovicës, ku në të dyja ishte renditur i dyti në klasifikimin e përgjithshëm. (A2 Televizion)