Talibanët kanë ndaluar zhvillimin e ndeshjeve të arteve marciale mikse (MMA) duke thënë se ky sport nuk përputhet me ligjet e fesë islame.
Një zyrtar i autoritetit sportiv të qeverisë, deklaroi në një intervistë për një televizion lokal se MMA ishte një sport shumë i dhunshëm dhe kishte rrezik vdekjeje. Urdhri i kaloi për zbatim Policisë së Moralit, një njësi brenda Ministrisë së Propagandimit të Virtyteve dhe Ndalimit të Veseve, shkruan A2 CNN.
“Zbuluam se ky sport është problematik në lidhje me sheriatin dhe ka shumë aspekte që bien ndesh me mësimet e Islamit”, tha në një deklaratë për mediat Drejtoria e Përgjithshme e Talibanëve për Edukimin Fizik dhe Sportin, dërguar Agjencisë Franceze të Lajmeve (AFP). “Prandaj edhe është marrë ky vendim”.
MMA është një sport mjaft popullor mes të rinjve në Afganistan që ka tërhequr mjaft tifozë gjatë dy dekadave kur Talibanët nuk ishin në pushtet.
Federata e Arteve Marciale Mikse u themelua në vitin 2008 ndërsa zhvillohet edhe një turne kombëtar. Por kur Talibanët morën pushtetin pas largimit të amerikanëve në vitin 2021, ndeshjet u ndaluan. Disa sportistë janë ankuar edhe për kërcënime nga zyrtarë Talibanë./A2 CNN (A2 Televizion)