5.000.000 lekë ishte shpërblimi që morën dy medalistët olimpikë Cermen Valiev dhe Islam Dudaev nga qeveria shqiptare, për vendin e tretë në Olimpiadën e Parisit. Në ceremoninë zyrtare të organizuar në Kryeministri për nderimin e sportistëve kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu i premtuan mbështetjen e vazhdueshme nga qeveria shqiptare nëpërmjet buxheteve të rritura, raporton A2.
“Sot ne nderojmë dy sportistë të jashtëzakonshëm, të cilët nuk kanë lindur në Shqipëri, të cilët nuk e kanë filluar karrierën e tyre në Shqipëri, por të cilët kanë zgjedhur Shqipërinë për të vazhduar të ushtrojnë pasionin e tyre dhe për të synuar majat më të larta të botës në disiplinat e tyre dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse Shqipëria nga një vend që braktisej nga bijtë e vet sepse nuk garantonte dot as ushqimin dhe humbiste njëri pas tjetrit potenciale që ktheheshin në medalje ari për vendet fqinje, është kthyer në një vend që mundet të adaptojë fëmijë që vijnë nga vende të tjera. Shqipëria ka arritur të krijojë një kuadër mbështetje që është ndër të sigurtët dhe ndër më tërheqësit në të gjithë rajonin tonë edhe më gjerë”, citon A2 kryeministrin Edi Rama.
Këto medalje nuk janë thjesht një arritje individuale, janë një sukses kombëtar, që na bën të ndihemi të gjithë krenarë, por dhe me të vendosur për të investuar në sport, që Shqipëria të mbërrijë në maja të reja në arenën ndërkombëtare, transmeton A2.
Presidenti i Federatës së Mundjes Sahit Prizreni shprehu bindjen se këto arritje nuk do të mbeten me kaq por në të ardhmen ambiciet do të rriten dhe më shumë, raporton A2.
I pranishëm në ceremoni ishte dhe kryetari i bashkisë së Tiranë Erion Veliaj i cili riktheu dhe një herë premtimin se brenda muajit shtator do të dorëzojë dhe çelësat e tre apartamenteve për tre mundësit e natyralizuar si shqiptarë.
Cermen Valiev dhe Islam Dudaev i sollën Shqipërisë për herë të parë në histori medalje olimpike duke fituar medalje bronzi në Lojërat Olimpike të Paris 2024. (A2 Televizion)