Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, prezantoi vizionin “Sporti 2030”, një qasje gjithëpërfshirëse për zhvillimin e sportit si pjesë e rëndësishme e jetës sociale, arsimore dhe ndërkombëtare të vendit.
“Në gjithë këto vite ia kemi dalë të kthejmë sportin në vëmendje për të rritur kulturën sportive dhe gjithashtu për të promovuar jetesën e shëndetshme duke filluar nga shkolla dhe duke vijuar me infrastrukturën sportive për ta kthyer sportin në një motor zhvillimi ekonomik për vendin”, u shpreh Manastirliu, shkruan A2.
Duke vënë theksin te puna me të rinjtë dhe masivizimi i sportit në sistemin parauniversitar, Ministrja Manastirliu theksoi: “Dua të ndalem te disa nga projektet e rëndësishme që kanë sjellë përfitime të mëdha në jetesën e shëndetshme, aktivitetin fizik dhe kulturën sportive te të gjitha moshat. Një prej programeve të rëndësishme që kemi iniciuar në shkollat tona është programi i Ekipeve Sportive në Shkolla, që përmes bashkëpunimit të jashtëzakonshëm me KOKSH-in dhe federatat e basketbollit dhe volejbollit, kanë arritur të angazhojnë më shumë se 12 mijë fëmijë, 800 ekipe të basketbollit dhe volejbollit për vajza dhe djem, dhe më shumë se 400 mësues të edukimit fizik të përfshirë në këtë program jashtëshkollor.”
Në drejtim të infrastrukturës, Ministrja nënvizoi progresin e arritur dhe planet për të ardhmen: “Falë investimeve që kemi bërë në infrastrukturën shkollore, falë investimeve që kemi bërë në palestra, terrene sportive në 450 shkolla, 200 terrene sportive dhe palestra të reja të investuara nga qeveria shqiptare kemi bërë të mundur që programi i ekipeve sportive të zhvillohet dhe synojmë që brenda vitit 2030 çdo shkollë të ketë infrastrukturë moderne nga palestra, terrenet sportive edhe më shumë disiplina të përfshira në programin e ekipeve sportive. Infrastruktura sportive ka qenë pjesë e prioriteteve tona strategjike duke filluar nga investimet për parqet olimpike si Parku Olimpik i Tiranës apo stadiumi Air Albania, i Shkodrës, Elbasan Arena dhe deri në 2030 do të vijojmë investimet për stadiumin e Vlorës, Durrësit, Korçës dhe stadiumin "Selman Stërmasi" në Tiranë, ku ne po punojmë.”
Ministrja u ndal dhe te modelet që po krijohen në partneritet me sportiste dhe ekipe ndërkombëtare në Shqipëri duke u ndalur te shkolla e futbollit Durrës City, në bashkëpunim me Manchester City: “Nëse ka një model të ri që kemi krijuar është modeli me Durrës City që kemi krijuar me fondacionin Durrës City. Dhe vërtet jemi shumë krenarë që tashmë akademia Durrës City me partnerët e Manchester City ka filluar shkollën e futbollit për fëmijët dhe janë mbi 200 fëmijë të regjistruar, ndërkohë që investimi në Durrës ka filluar dhe do të shohim shumë shpejt këtë program të jetësohet. Gjithashtu si me akademinë Rafael Nadal që shumë shpejt do të bëhet realitet për ata që janë pasionantë në tenis.”
Pjesë e rëndësishme e këtij vizioni është edhe mbështetja për sportistët elitarë dhe gjithëpërfshirja në sport. Ministrja u ndal te arritjet e sportistëve tanë në arenën ndërkombëtare: “Një gjë që na ka bërë gjithmonë krenarë janë arritjet t sportistëve tanë elitarë, ku në vitin 2024 Shqipëria mori medalje olimpike dhe falë sportistëve tanë elitarë kemi marrë medalje në disiplina të tjera si atletikë dhe peshëngritje. Nuk do të mungojë mbështetja për sportistë. Gjithëpërfshirja në sport për ne është gjithashtu shumë e rëndësishme dhe jemi krenarë që në Lojërat Olimpike Dimërore të Torinos ne arritëm që të kemi 8 medalje olimpike për fëmijët me aftësi speciale, ku tashmë, falë ndryshimeve që kemi propozuar për sportin, do të kemi dhe Komitetin Olimpik Special”.
(A2 Televizion)