Stadiumi i ri i Milanos, përplasja mes klubeve dhe bashkisë mban peng projektin 1 mld euro

Nga A2 CNN
18 Dhjetor 2019, 11:15 | Futboll

Klubet e futbollit të Milanos janë në bisedime me bashkinë e qytetit për të zgjidhur mosmarrëveshjet mbi planet për të ndërtuar një stadium të ri që do të zëvendësojë mitikun “San Siro”. Që në korrik, Milan dhe Inter, që janë në pronësi respektivisht të Fondit amerikan “Elliot” dhe kompanisë së pajisjeve elektronike “Suning”, dorëzuan një kërkesë për të ndërtuar bashkërisht një tjetër stadium me 60 000 vende në të njëjtin vend ku sot ndodhet “San Siro”.

Milan dhe Inter e shohin këtë projekt si një hap thelbësor për të rritur të ardhurat e tyre dhe për të ruajtur ritmin e Juventus, por edhe klubeve të tjerë europianë.

Por bashkia e Milanos, e cila ka në pronësi stadiumin “San Siro” nuk ka treguar shumë entuziazëm për projektin që vlen mbi 1 miliardë euro dhe ende nuk ka dhënë miratimin. Kryebashkiaku Giuseppe Sala gjithmonë ka hedhur dyshime mbi prishjen e stadiumin të ndërtuar në vitin 1926 që momentalisht ka një kapacitet prej 80000 vendesh.

Të dy klubet janë kundër idesë së restaurimit të stadiumit ekzistues, pasi mendojnë se do të jetë një shpenzim i çuar dëm. Të martën, palët kanë diskutuar për mundësinë e ndërtimit të stadiumit të ri diku tjetër dhe ruajtjes së “San Siro”-s. Por edhe kjo ide nuk është shumë e pëlqyer, prandaj diskutimet janë drejtuar nga mundësia e prishjes së pjesës më të madhe të “San Siro”-s dhe ruajtjes së një pjese të tribunës si dëshmi historike edhe për vetë qytetin. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos