
I ftuar në Ditarin e orës 09:00 në A2, Roland Lami i bëri një analizë situatës aktuale politike në vend, duke folur për reformën në drejtësi, përplasjet e Metës me ndërkombëtarët, por edhe për pozicionin e mbajtur nga mazhoranca dhe nga opozita jashtë Parlamentit.
Reforma në drejtësi, “përplasje të gjithë kundër të gjithëve”
“Kur u ideua reforma në drejtësi, një nga tezat që qarkullonte ishte që kjo reformë mund të qëndrojë shumë mirë në letër, por në zbatim do të ketë probleme sepse aktorët do të bëjnë gjithçka për ta zvarritur, ndoshta edhe për ta bërë të pavlefshme. Nuk është se kanë munguar tentativat për ta zvarritur dhe bllokuar. Dhe kjo që po shohim sot nuk është gjë tjetër veçse një lojë frontale të të gjithë aktorëve kundër njëri-tjetrit, që në rastin më të mirë Gjykatën Kushtetuese ta kenë zgjatim të tyre ose në rastin më të keq ta bllokojnë dhe delegjitimojnë reformën në drejtësi, duke e anatemuar atë si të njëanshme”.
“E vështirë të përballosh një luftë me faktorin ndërkombëtar”
“Presidenti është në strategjinë e tij që do të luajë gjithçka për të mbajtur kredencialet e tij politike, të cilat duket se janë vënë shumë në dyshim dhe jo vetëm nga Rama, por edhe nga faktori ndërkombëtar. Në këtë rast, Meta po ezauron brenda hapësirës që i jep institucioni për të ruajtur figurën e tij. Nuk gjykoj se kjo lojë frontale të mund të jetë një lojë që duhet mbështetur, aq më shumë që ne nuk jemi të aftë të ndërtojmë institucione nëse nuk kemi bekimin e faktorit ndërkombëtar. Më duket e vështirë që të përballosh një luftë me faktorin ndërkombëtar. Nëse shkojmë edhe në referendum është e vështirë që në perceptimin e publikut të vlerësohet më shumë pastërtia e Metës në raport me kredibilitetin e SHBA-vë”.
“Vonesa e Kushtetueses, në favorin e qeverisë”
“Qeveria e ka në avantazhin e saj që të vonohet Gjykata Kushtetuese, e cila nuk shqyrton aktet që merr qeveria dhe mban tensionin gjallë ndërmjet vetes dhe Presidentit, duke zhvendosur fokusin nga keqqeverisja, e cila nuk ka asnjë bilanc tani që po flasim. Në anën tjetër, loja e opozitës më duket korrekte për aq sa i takon dhe dislarguar në raport me qëndrimin që mban Presidenti. Lajmi është se këtë qëndrim nuk ka vetëm PD, por edhe LSI-ja”. (A2 Televizion)