Ngërçi për GJK, Nishani: Venecia i ka dhënë rekomandimet e saj

Nga A2 CNN
21 Nëntor 2019, 13:38 | Politikë
Ngërçi për GJK, Nishani: Venecia i ka dhënë

Ish-Presidenti Bujar Nishani tha se çështja e ngritur së fundmi mbi marrjen e një mendimi nga Komisioni i Venecias në lidhje me ngërçin Kushtetues nuk ka asnjë lloj baze as politike e as ligjore. “Sepse Komisioni i Venecias i ka dhënë në mënyrë eksplicite rekomandimet e saj, mbi bazën e tyre është shkruar Kushtetuta e Vendit”, tha Nishani, pas takimit me Presidentin Meta.

“Në rastin konkret janë tre çështje që nuk kanë nevojë për interpretim, por vetëm për zbatim.

1: Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, të cilët 3 zgjidhen nga Presidenti, 3 nga Parlamenti dhe 3 nga Gjykata e Lartë.

2: Anëtari i parë zgjidhet nga Presidenti, i dyti nga Parlamenti, i treti nga Gjykata e Lartë, e kështu me radhë.

3: Anëtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pas betimit para Presidentit të Republikës.

Pra janë tre çështje që kanë nevojë vetëm për zbatim dhe janë shkruar në Kushtetutë vetëm në bazë të rekomandimeve që ka sjellë Komisioni i Venecias”.

Nishani gjithashtu mohoi të ketë diskutuar me Presidentin Meta në lidhje me shpërndarjen e Parlamentit, apo zgjedhjet e parakohshme, edhe pse pranoi që është pikërisht Gjykata Kushtetuese që do të vendosë për këtë të fundit. “Parlamenti nuk plotëson një kriter kushtetues, nuk ka 140 anëtarë”, tha Nishani.

Ndërsa ish-Presidenti Bamir Topi tha: "Palët që janë në këtë përplasje duhet të gjejnë arsyen dhe vullnetin për t'i dhënë zgjidhje. Kjo nuk është çështje e pushtetit personal të njeriut". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos