Superliga, formati dhe rregullat e turneut të ri europian

Nga A2 CNN
19 Prill 2021, 23:29 | Futboll
Superliga, formati dhe rregullat e turneut të ri europian

Në kohën kur krijimi i Superligës ka krijuar një tërmet mediatik, reagime nga më të ndryshmet, është momenti të kuptohen edhe formati e rregullorja e turneut, data e startit të të cilit mbetet ende mister. 

Superliga është eventi i ri evropian, ndërmjet 20 skuadrave më të mira në kontinent. Aty do të luajnë 15 klubet themelues, si pjesëmarrës të përhershëm dhe 5 klube që kualifikohen në çdo sezon. 

Skuadrat do të ndahen në dy grupe me nga dhjetë. Në fazën e parë, secila do të luajë ndeshje me sistem vajtje-ardhje. Përballjet ndërmjet skuadrave dhe lojtarëve më të mirë do të jenë një risi absolute. 

Nga faza e parë kualifikohen 4 skuadra nga secili grup. 8 ekipet do të luajnë sfida direkte me eliminim, ku gjatë katër javëve do të shpallet fituesi i turneut. 

Ndeshjet e Superligës do të luhen në mesjavë dhe të gjitha skuadrat pjesëmarrëse do të vijojnë të luajnë në kampionatet respektive. 

Pagesat e solidaritetit do të rriten, ndërsa rriten edhe të ardhurat nga turneu. Fondet pritet të tejkalojnë vlerën e 10 miliardë eurove gjatë viteve të para të projektit. Pagesat e reja të solidaritetit do të bëhen nëpërmjet një procesi të ri, që do të jetë transparent dhe publik. Sipas projektit, klubet themeluese, të cilat janë edhe më të mëdhatë në Evropë, nuk rrezikojnë asnjëherë rënien nga kategoria.

Misteri më i madh rreth turneut lidhet me sezonin kur do të nisë. Duke vlerësuar organizimin dhe luftën me FIFA-n, UEFA-n e federatat, duket e vështirë të startojë përpara sezonit 2022-2023. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos