
Lideri i opozitës ruse, Alexei Navalny, “bëhet i gjallë” nga burgu dhe komenton për herë të parë samitin SHBA-Rusi.
Me anë të një postimi në rrjetin social Instagram, të kryer nga avokatët e tij, 44-vjeçari është tallur me deklaratat e presidentit, Vladimir Putin, pas takimit me homologun amerikan, Joe Biden.
“Putin djersitet dhe ka dhimbje koke të tmerrshme nëse nuk gënjen dikë për këto çështje: pagat në Rusi po rriten, s’ka vaksinim të detyrueshëm dhe se Navalni u dërgua jashtë për trajtim në gjendje koshiente”, shkruhet në postimin e opozitarit.
Kjo vjen si kundërpërgjigje ndaj shefit të Kremlinit, i cili në Gjenevë tha se Navalni u kthye me dëshirë në Rusi dhe se e dinte çfarë e priste pasi kërkohej nga drejtësia. Opozitari ndodhet në burg prej muajsh dhe pretendon se akuzat kundër tij janë të pabaza dhe vetëm politike. (A2 Televizion)