
Guvernatori i Nju-Jorkut, Andrew Cuomo, përballet me një tjetër javë të vështirë. Ligjvënësit rikthehen në kontenë Albany, atje ku pritet të takohen me hetues të pavarur, për të shqyrtuar nga afër provat e siguruara për të vendosur më pas në qoftë se do të nisin apo jo një impeachment ndaj guvernatorit.
Me hetimin, për akuzat ndaj Andrew Cuomo, që ligjvënësit e cilësojnë si drejt përfundimit, guvernatori do të presë deri të premten për të ofruar çdo provë në mbrojtje të tij. Një mundësi kjo, këmbëngul avokati mbrojtës i tij, për të provuar se Cuomo kurrsesi nuk ka asnjë faj, duke mohuar akuzat e ngritura ndaj tij nga disa gra, sipas të cilave 63-vjeçari ka bërë ndaj tyre prekje të padëshiruara apo jo konsesuale, sikurse edhe komente të natyrës seksuale.
Guvernatori përballet seriozisht me akuza të rënda kriminale, që mund t'i kushtojnë më shumë sesa thjesht posti. Sherifi i Kontesë Albany konfirmoi se po heton një ankesë për sjelljen e Cuomos, që ka natyrë të ngacmimit seksual.
“Erdhi zyrtarisht një ankesë nga një femër viktimë. Kjo ishte gjëja më e vështirë që ajo kishte bërë në jetë, dhe ngriti zyrtarisht një akuzë kriminale ndaj guvernatorit”, deklaroi Craig Apple, sherifi i Albany.
E njohur në raporte të ndryshme vetëm si asistentja ekzekutive numër 1, ajo foli publikisht, me zë dhe figurë, për herë të parë. Intervista me Brittany Commiso u realizua nga “CBS News”, në një bisedë të gjatë dhe të qetë, ky Brittany foli hapur në mbrojtje të imazhit të saj.
“Guvernatori duhet të mbajë përgjegjësi. Ajo që ai më bëri ishte krim. Ai ka shkelur ligjin”, deklaroi akuzuesja Brittany Commisso. Rita Glavin, avokate e guvernatorit, këmbëngul për CNN se akuzat e Brittney-t janë të pavërteta.
“Një gjë që dua të them për këtë vajzë është se e di që guvernatori kishte respekt të jashtëzakonshëm për të, ajo ishte ekselente në punën e saj. Dhe ai ndihet vërtet shumë keq në qoftë se ajo beson apo ka ndjerë se është dhunuar apo abuzuar prej tij. Këtë e di. Dhe ai këtë qëndrim do të mbrojë. Ai nuk është perfekt… Ai e ka thënë në video, në videon ku bëri deklaratën, ku thotë se edhe ai bën gabime, ai thotë “e dashur” apo mund të thotë “Zemër”. Po, ai i bën njerëzve pyetje për jetën private. Por nuk mendon se kjo është e pahijshme ”, thotë ajo.
Se kur Cuomo do të flasë publikisht për akuzat, ende nuk dihet. Gjithsesi, guvernatori i ka kërkuar ndjesë çdo gruaje me të cilën ka punuar e që ndoshta e ka bërë të ndihet në siklet nga sjellja e tij, për të cilën këmbëngul se ka qenë e pamenduar dhe pa asnjë qëllim seksual. (A2 Televizion)