
Pushuesit e një plazhi në Zvërnec të Vlorës, tejet i populluar nga pushuesit dhe kryesisht me familjarë, u shqetësuan sot nga disa të shtëna, për shkak të një konflikti të çastit.
Dyshohet se personi që ka qëlluar tri herë në ajër ka qenë në lëvizje me motor. Burimet bëjnë me dije se kanë identifikuar një person të dyshuar, dhe bëhet fjalë për shtetasin 42-vjeçar Luçio Rroko, pronari i një plazhit privat, i cili është konfliktuar me disa persona të cilët kalonin me kuaj në territorin e tij.
Shërbimet e Policisë po krehin zonën për kapjen e 42-vjeçarit, si dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në konflikt. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. (A2 Televizion)