Të strehuar në Dubai, të shumëkërkuarit e SPAK, juristi tregon si mund të ekstradohen

Nga A2 CNN
27 Shkurt 2023, 17:03 | Kronikë
Të strehuar në Dubai, të shumëkërkuarit e SPAK, juristi

Mungesa e një marrëveshje ekstradimi dypalëshe me Shqipërinë i ka kthyer Emiratet e Bashkuara Arabe në një strehë të sigurt arratie për persona të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare.

Urdhër-arrestet e prera për ta në Shqipëri ekzekutohen nga policia e Emirateve të Bashkuara, por më pas ata fitojnë lirinë dhe nuk i vihen në dispozicion palës shqiptare.

Për juristin Arbër Hoxha, mundësia ligjore e ekstradimit të figurave të krimit shqiptar në Dubai apo vende të tjera të Emirateve të Bashkuara ekziston.

“Nuk kemi një marrëveshje bilaterale me Emiratet e Bashkuara Arabe. Megjithatë Republika e Shqipërisë në vitin 1996 ka nënshkruar Konvetën e Ekstradimit, që është ratifikuar në vitin 1998 nga parlamenti. Ndërkohë që Emiratet e Bashkuara e kanë ratifikuar në vitin 2000. Kjo do të thotë që kuadri ligjor i ekstradimit të shtetasve shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare ekziston”, tha Hoxha.

Sipas juristit, të kërkuarit po shfrytëzojnë kriteret ndaluese të së njëjtës Konventë për të shmangur ekstradimin në Shqipëri.  

“Avokatët mbrojtës kanë pretenduar se në Shqipëri ata nuk do t’i nënshtrohen një procesi të rregullt ligjor. Për këtë arsye gjykata e vendit përkatës, ka vendosur që ata të mos ekstradohen. Jo se mungon kuadri ligjor, por mbi kuadrin ligjor ka vendosur për mosekstradimin e tyre”, shtoi avokati.

Në këtë situatë, ndonëse ka informacion zyrtar se ku i ka disa nga të shumëkërkuarit, drejtësia shqiptare detyrohet t’i gjykojë në mungesë një pjesë të tyre, siç po ndodh aktualisht me Plaurent Dervishajn e Florenc Çapjen në Gjykatën e Posaçme.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos