Tensione Kosovë-Serbi, Vuçiç largohet para kohe, s'pranoi pikën për kufijtë

Nga A2 CNN
18 Maj 2021, 10:12 | Kosova
Tensione Kosovë-Serbi, Vuçiç largohet para kohe,

Në takimin për procesin e Brdo-Brijunit në Slloveni, diskutimi mes liderëve të rajonit ishte mjaft i ndezur. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u përplas verbalisht me homologun serb, Aleksandër Vuçiç, për çështjen e ndryshimit të kufijve.

Ky i fundit kërkoi që në këtë pikë të konkluzionit të shkruhej “mosndryshim i kufijve të njohur nga Kombet e Bashkuara” dhe jo i atyre aktualë.

“Nisma jonë nuk u pranua dhe ne jemi të kënaqur me pjesën tjetër të konkluzioneve”, deklaroi Vuçiç.

Kjo bëri që Vuçiç të largohej para përfundimit të samitit me arsyetimin se kishte takime të tjera në selinë e Nato-s në Bruksel. Megjithatë, konkluzionet u miratuan. Pjesë e tyre edhe një pikë për dënimin e krimeve në ish-Jugosllavi.

“Ne edhe një herë pranojmë domosdoshmërinë për të zbardhur fatin e të zhdukurve gjatë konfliktit në territorin e ish-Jugosllavisë dhe përsërisim nevojën për të hetuar rrethanat e zhdukjes së tyre dhe të sillen përgjegjësit para drejtësisë, me qëllimin që të kontribuohet deri te pajtimi i përhershëm, paqja dhe stabiliteti.”

NJë pikë e konkluzioneve kishte të bënte dhe me procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian.

“Mbështesim fuqishëm hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si një çështje urgjente dhe pa vonesa të mëtejshme”.

Pjesë e takimit të Brdo-Brijunit, që përkoi me 10-vjetorin e iniciativës, ishte presidenti Ilir Meta, si dhe krerët e shteteve të rajonit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos