
Albin Kurti, pas takimit me kryeministri Edi Rama, foli për tensionet në veri të Kosovës, duke theksuar se është i gatshëm për të dialoguar me Beogradin në çdo moment për zgjidhjen e situatës në veri të vendit.
“Nuk kam informacion për ndërhyrje të mundshme të KFOR-it. Ne jemi të hapur për bisedime, që prej 20 shtatorit kemi qenë të gatshëm të udhëtojmë në Bruksel, por bisedimet janë refuzuar nga Beogradi.
Kur të organizohet takimi jemi të gatshëm të shkojmë në Bruksel. I ftoj qytetarët për qetësi dhe durim. Institucionet janë duke e kryer punën pa asnjë defekt dhe asnjë dështim”, u shpreh Kurti.
Më tej, ai zbuloi edhe detaje nga 90 minuta takim, duke u shprehur se nuk është përmendur asnjëherë Serbia apo Ballkani i Hapur.
“Gjatë takimit tonë, Rama ka ardhur me gjysmën e këshillit të tij të ministrave, më shumë kanë diskutuar ministrat tanë sesa ne të dy. Për një orë e gjysmë nuk është përmendur fjala Ballkan dhe as Serbi, por veç Kosovë dhe Shqipëri”, tha Kurti. (A2 Televizion)