
Krijimi i Superligës është kthyer në një çështje shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar. Që nga kryeministri Boris Johnson, deri në trashëgimtarin e fronit, Princi William, të gjithë e kanë kundërshtuar projektin e 12 klubeve.
Për këtë arsye, disa nga 6 ekipet e mëdha të Premier League po mendojnë të tërhiqen nga Superliga. Sipas “The Guardian”, Manchester City dhe Chelsea janë të parat që mund të largohen, pasi fillimisht iu bashkuan iniciativës nga frika se mos ngelnin jashtë këtij formati, që nga ana financiare është shumë tërheqës, por që nuk po pritet mirë nga bota e futbollit.
Një zyrtar i një klubi anglez, që nuk bën pjesë në 6 klubet e Superligës, tha për tabloidin britanik se vetëm 6 klube janë “fanatikë” të idesë, ndërsa të tjerët vetëm sa ndjekin paratë.
Ndërsa “The Times” ka njoftuar se një nga 6 ekipet angleze që firmosën për krijimin e Superligës po mendon seriozisht të tërhiqet, për arsye të kundërshtimeve të mëdha nga ana e tifozëve. (A2 Televizion)