Tirana e volejbollit, përballë ekipit që bëri historinë në Sllovaki

Nga A2 CNN
28 Qershor 2022, 16:09 | Sporte të tjera
Tirana e volejbollit, përballë ekipit që bëri historinë

E vetmja skuadër shqiptare që do të përfaqësohet në arenën ndërkombëtare në volejboll për meshkuj, njohu rivalin e turit të parë kualifikues në Challenge Cup. Tirana, kampione e Shqipërisë, do të luajë përballë sllovakëve të Rieker UJS Komarno.

Ky ishte verdikti i shortit të hedhur mesditën e kësaj të marte, në Luksemburg. Pasi njohu kundërshtarin, ekipi kryeqytetas njoftoi edhe datat e sfidave. Ndeshja e parë do të luhet më 13 tetor në trasfertë, teksa takimi i kthimit më 20 tetor, në Tiranë.

Rieker UJS Komárno nuk është rivali më i thjeshtë i mundshëm. Vitin e kaluar ata shkruan historinë, duke u bërë ekipi i parë sllovak që luajti në Champions. Megjithatë, Tirana do të luajë shanset e saj, me synimin që të kualifikohet në turin e dytë, ekuivalent i fazës së 1/16.

Bardheblutë e drejtuar nga Arben Sako do të mbështeten mbi të gjitha te boshti cilësor i formuar gjatë edicionit të kaluar, si edhe te përforcimet e studiuara në merkato. Sezoni që u mbyll mund të përkufizohet edhe si ecuria perfekte, pas fitimit të 5 kupave në 5 evente ku skuadra mori pjesë.

Tirana triumfoi në Kupën e Federatës, bëri të vetën Kupën Pavarsia, për të vijuar me Kupën e Shqipërisë dhe Ligën Gjergj Kastrioti. Trofeu më i rëndësishëm ishte titulli kampion, i cili u kthye në duart e bardhebluve pas 26 viteve mungesë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos