
Kampionët e Shqipërisë përballë kampionëve të Zvicrës. Tirana kundër Young Boys, për një vend në fazën e grupeve të Europa League. Nëse në fund të gushtit goglat u treguan bujare, duke bërë që Tirana të ishte një prej dy skuadrave që kalonin në fazën play-off pa zbritur në fushë, këtë herë shorti në Nyon nuk ishte më i miri i mundshëm.
Bardheblutë u përzgjodhën sërish të parët nga vazo e ekipeve jo-favorite, për duelin me zviceranët, që cilësoheshin edhe si kundërshtari më i fort i mundshëm, ku si alternativë ishte edhe Dinamo e Zagrebit, por edhe rivalë komodë si fituesit e çiftit ndërmjet maltezëve të Floriana apo estonezëve të Flora Tallinn, por edhe KuPS nga Finlanda e Sūduva nga Lituania.
Sikur të mos mjaftonin emri dhe forca e kundërshtarit, ndeshja me Tiranën do të luhet në kryeqytetin zviceran, Bernë, në datën 1 tetor. Nëse koha e rregullt përfundon në barazim, do të luhen shtesat ose do të ekzekutohen penalltitë për të përcaktuar fituesin.
Në sezonin 2017-2018, me Young Boys është përballur Skënderbeu në fazën e grupeve të Europa League. Ndeshja e parë e luajtur në Elbasan Arena përfundoi në barazim 1-1, ndërsa në takimin e kthimit, zviceranët fituan 2-1.
Shorti zbuloi edhe kundërshtarët e mundshëm të dy ekipeve të tjera shqiptare të mbetura në Europa League, Dritës dhe Shkëndijës. Nëse kampionët e Kosovës kalojnë Legia Warsaw në turin e tretë, në play-off do të ndeshen me azerët e Qarabağ. Në anën tjetër, fituesi i ndeshjes Shkëndija-Tottenham do të duelojë për një vend në fazën e grupeve me fituesin e cciftit ndërmjet rusëve të Rostov dhe izraelitëve të Maccabi Haifa. (A2 Televizion)