
Skandal nga Novak Djokovic. Pasi dështoi në US Open, ku nuk arriti të fitonte titullin Grand Slam, numri një i tenisit botëror kaloi disa ditë pushimi në Bosnjë. 34-vjeçari u fotografua me Milan Jolovic, ish-komandantin e “Ujqërve të Drinit”, njësia e ushtrisë së Beogradit, që mori pjesë në gjenocidin e Srebrenicës, në korrik 1995.
Gjatë atyre ditëve, ushtria serbe vrau rreth tetë mijë myslimanë të Bosnjës, duke i hedhur trupat e tyre në varre të përbashkëta. Pas ngjarjes makabre, Jolovic u cilësua si legjendë nga bashkëkombësit e tij, teksa mori famë edhe sepse i shpëtoi jetën gjeneralit Ratko Mladic, i cili është i burgosur për gjenocid dhe krime lufte.
Fotografia që akuzon tenistin u publikua nga sajti boshnjak Fakta, e cila akuzon Djokovic se ka marrë pjesë edhe në një dasmë përkrah Milorad Dodik, anëtarin serb të presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, që njihet për qëndrimet e tij mohuese rreth masakrës.
Kjo nuk është hera e parë që Djokovic përfshihet në çështje nacionaliste. Në vitin 2020, pas fitores në ATP Cup në Sidnei, bashkë me shokët e ekipit ai këndoi “Vidovan”, në rreshtat e së cilës janë edhe fjalët “Askush nuk mund të ma marrë Kosovën”. Për atë episod, ambasadori i Kosovës në Bullgari shkroi se “nuk është rastësi që Novak është një prej kampionëve të tenisit më pak të dashur në histori”. (A2 Televizion)