Tjetërsimi i tokave në bregdet, prokuroria zbulon skemën e 2 drejtorëve

Nga A2 CNN
19 Tetor 2021, 14:28 | Aktualitet
Tjetërsimi i tokave në bregdet, prokuroria zbulon skemën e 2

Skema e vjedhjes dhe e tjetërsimit të pronave shtetërore në bregdetin e Himarës dhe Dhërmiut, gjatë viteve 2019-2021, nuk është bërë nga askush tjetër përveç se nga titullarët e institucioneve lokale të Vlorës, të cilët kishin për detyrë të zbatonin ligjin dhe të mbronin pronarët e vërtetë.

Të paktën në këtë përfundim ka arritur hetimi i prokurorisë së Vlorës, që solli për rrjedhojë arrestimin e ish-drejtorit të Kadastrës, Klodian Troci dhe drejtorit të zyrës për administrimin dhe mbrojtjen e tokës në qarkun e Vlorës.

Ish-kreu i Kadastrës së Vlorës, Klodian Troci, besohet se qëndron në krye të veprimtarisë që ka funksionuar mes zyrtarëve të Kadastrës dhe drejtorisë së Administrimit të Tokës. Troci në dy vitet e fundit ka drejtuar dy herë zyrën e Kadastrës në Vlorë. Ndërsa në një fazë të ndërmjetme ka punuar edhe në Zyrat e Administrimit të tokës pranë Këshillit të Qarkut. Gjatë kësaj kohe, ai ka marrë akte të marrjes së tokës në pronësi të vulosur dhe të firmosur, por të paplotësuara. Në mënyrë abuzive, Troci plotësonte këto akte me të dhënat e tokave shtet dhe i dërgonte në Qarkun Vlorë ku firmoseshin dhe njiheshin nga drejtori i Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, Bardhyl Gjikaj, i cili kryente edhe falsifikimet në regjistrin numër 6 të dosjeve. Këto akte të marrjes së tokës në pronësi i shiteshin personave të besuar fillimisht për 300 mijë euro dhe më pas shiteshin me vlerën e tregut te persona të tjerë.

Sipas ligjit të pronave në Shqipëri, kur ka konflikt fiton personi, i cili ka dokumentacionin e rregullt të viteve të fundit. Me këtë skemë mësohet se janë kryer disa tjetërsime me vlerë deri në 5 milionë euro. Ndërsa për të fshehur sado pak nga falsifikimet e kryera u inskenua edhe vjedhja e zyrës së administrimit të tokës, nga ku u vodhën dosjet e disa tokave për të cilat kishte nisur hetimi. Në banesën e ish-drejtorit të Kadastrës, Klodian Troci, policia gjeti dhe sekuestroi 50 akte të marrjes së tokës në pronësi si dhe 65 mijë euro. Në banesën e ish-drejtorit të administrimit dhe mbrojtjes së tokës u gjetën 60 dokumente të tjera.

Tani hetimi pritet të zbulojë nëse në këtë skemë dy ish-drejtuesit lokalë kanë vepruar të vetëm apo kanë pasur bashkëpunimin edhe të zyrtarëve të tjerë në pozicione më të larta dhe natyrisht pritet t’u nënshtrohen edhe hetimit pasuror për shumat e konsiderueshme që dyshohet se kanë përvetësuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos