
Misioni i Vëzhgimit të ODIHRI-t në Shqipëri ka publikuar raportin e ndërmjetëm se si po organizohen zgjedhjet.
Që në krye të raportit, ODIHR vë në dukje gjuhën e ashpër ndërmjet rivalëve në zgjedhje.
“Në fillimet e saj, kjo fushatë u karakterizua nga një ton jo i moderuar i përdorur prej udhëheqësve kryesorë të partive politike. Akuzat e ngritura për korrupsion dhe për lidhje me krimin e organizuar janë shndërruar në një lloj mesazhi kyç të fushatës zgjedhore.”
Krahas kronologjisë të ndryshimeve ligjore në vend, misioni i vëzhgimit sjell në vëmendje klauzolën e pragut prej 1% në rang kombëtar për të marrë mandatin parlamentar, e cila i vë kandidatët e pavarur në kushte të pabarabarta me partitë politike.
“Ndonëse ligji është i qartë për zbatueshmërinë e pragut prej 1% në shkallë vendi për kandidatët e pavarur, KQZ-ja e informoi MKVZ-në eODIHR-it se po shqyrton nëse do ta zbatojë apo jo këtë prag në rastin e tyre.”
Përsa i përket komisionerëve, ODIHR evidenton injorimin e rekomandimit të mëhershëm për depolitizimin e administratës zgjedhore. Partitë kanë sërish të drejtën e propozimit të tyre, si dhe mundësinë për t’i tërhequur ata në çdo moment duke bllokuar procesin. (A2 Televizion)