Të paktën 22 vetë kanë humbur jetën në Tenesi, nga disa tornado të fuqishëm që goditën shtetin amerikan. Qindra të tjerë mbetën të plagosur, ndërsa rreth 44 000 vetë mbetën pa energji elektrike.
Një prej stuhive më të forta goditi qendrën e qytetit Neshvill, duke shkaktuar dëme edhe në godina të ndryshme. Numri i viktimave mund edhe të rritet, pasi autoritetet raportojnë për mure të shembura dhe çati të shkatërruara. Shkollat u mbyllën, ndërsa transporti publik u pezullua, në një kohë kur vendi përgatitej për votimet masive në primaret presidenciale në Partinë Demokratike.
Zjarrfikësit raportuan se rreth 40 godina kishin pësuar dëme, mes tyre edhe aeroporti “John C. Tune” në Neshivll. Autoritetet i kërkuan njerëzve të qëndronin larg deri në një njoftim të dytë.
Në videot e publikuara nga CNN, duket situata dramatike që ka lënë pas tornado. (A2 Televizion)