Tragjedia në Danub, arrestohet kapiteni i anijes

Nga A2 CNN
31 Maj 2019, 09:55 | Bota

Arrestohet kapiteni i mjetit lundrues që përplasi anijen me turistë  në lumin Danub të Budapestit.

64-vjeçari me shtetësi ukrainase, u ndalua nën dyshimin e sjelljes së pakujdesshme në trafikun ujor.

Anija që transportonte turistë nga Koreja e Jugut, u mbyt disa sekonda pasi u godit nga mbrapa nga një anije më e madhe, gjatë një stuhie. 7 persona humbën jetën e 21 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur. Shpresa për gjetjen e të mbijetuarve është zbehur.  

Autoritetet nisën hetimet kriminale lidhur me tragjedinë e ndodhur të mërkurën. Aksidentet në lumin Danub, ku përgjithësisht lundrimi është i sigurt,  konsiderohen të rrallë. Pamje të xhiruara nga kamerat e sigurisë tregojnë momentin e përmbysjes së anijes “Sirena”, pas goditjes nga mjeti i drejtuar nga kapiteni ukrainas, pranë urës Margit, në qendër të Budapestit.

Operacioni i kërkimit vazhdon ende, me varka, zhytës e radarë që skanojnë përgjatë lumit, ku temperatura e ujit është mes 10 dhe 12 gradë Celsius. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos