Trashëgimtari i "fronit" tradhton të atin dhe kartelin në gjyqin e El Chapos

Nga A2 CNN
4 Janar 2019, 18:19 | Bota

- Çfarë pune bën babai juaj?
- Babai im është kreu i Kartelit të Sinaloas!

Përveç vetë krerëve të kartelit, ndoshta askush tjetër nuk di më shumë se sa Vicente Zambada Niebla mbi Kartelin e Sinaloas. Si djali i Ismael Zambada Garcias, një prej liderëve të kartelit, Vicente shihej nga të gjithë si trashëgimtari i “fronit”.

Por të enjten ai bëri një kthesë spektakolare dhe tradhtoi babain, duke “bombarduar” jurinë me fakte kundër tij ndërsa dëshmoi për më shumë se pesë orë në gjyqin e El Chapos në Nju Jork. Pasi shkëmbeu shikimin me Joaquin Guzmanin, Vicente tregoi se si babai i tij dhe El Chapo kishin trafikuar tonelata drogë në Shtetet e Bashkuara nga Meksika, skemat e pastrimit të parave që përdorin, luftërat e përgjakshme që kanë zhvilluar, por u dha edhe një listë me persona që kanë korruptuar, përfshirë edhe një ushtarak të lartë që dikur ka qenë përgjegjës për sigurinë e ish-presidentit meksikan Vicente Fox.

Që prej nisjes së gjyqit në nëntor, 7 pjesëtarë të tjerë të kartelit kanë dëshmuar kundër bosit famëkeq por me siguri që Vicente Zambada është profili më i lartë që ka bërë këtë veprim.

Ismael Zambada Garcia, një prej krerëve të Kartelit të Sinaloas

Vicente tregoi se babai i tij – i cili vazhdon të jetë në listën e më të kërkuarve nga DEA – shpenzon deri në 1 milionë dollarë në muaj për ryshfete, 50 000 dollarë prej tyre si rrogë mujore për një zyrtar të besuar brenda departamentit meksikan të mbrojtjes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos