
Tre autorët e dyshuar të një sulmi të dhunshëm ndaj shefit të policisë bashkiake në Bulqizë janë identifikuar dhe shpallur në kërkim nga forcat e rendit.
Ngjarja për të cilën tre shtetasit akuzohen ka ndodhur në aksin rrugor Bulqizë-Fushë Bulqizë. Mësohet se treshja në fjalë kanë goditur me grushte 35-vjeçarin që ishte duke ushtruar detyrën si kryepolic i bashkisë.
Nga ana e policisë, vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e 3 autorëve, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, pas marrjes së njoftimit për një konflikt mes disa shtetasve, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin e autorëve dhe sqarimin e rrethanave të konfliktit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale, shërbimet e Policisë kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasit F. T., 45 vjeç, D. T., 18 vjeç dhe E. K., 25 vjeç, të tre banues në Bulqizë.
Këta 3 shtetas, në aksin rrugor Bulqizë-Fushë Bulqizë, janë konfliktuar dhe kanë goditur me grushte, për shkak të detyrës, shtetasin E. L., 35 vjeç, banues në Bulqizë, me detyrë shef i Policisë Bashkiake Bulqizë. (A2 Televizion)