Trefishohen gjobat për maskat në shkurt, hiqen edhe patenta

Nga A2 CNN
12 Shkurt 2021, 14:03 | Aktualitet
Trefishohen gjobat për maskat në shkurt, hiqen edhe patenta

Që prej 15 tetorit mbajtja e maskës është kthyer me detyrim dhe për moszbatuesit e këtij vendimi ka një masë administrative me gjobë deri në 3000 lekë.

Fillimisht, Policia e Shtetit u ofrua si këshilluese për qytetarët të cilët qarkullonin pa barrierat mbrojtëse. Me rritjen e numrit të infektimeve nisën dhe shtrëngimet për zbatimin e urdhrit të Komitetit Teknik të Ekspertëve.

Në 10-ditëshin e parë të vitit numri i shtetasve të gjobitur arriti në mbi 2350. Javë pas jave ky numër u rrit, ndikuar edhe nga ulja e vigjilencës së qytetarëve për të respektuar vendimin përmbajtjen e maskave.

Muaji janar u mbyll me afro 11 mijë gjoba për mosrespektimin e masave anti-covid, mes tyre edhe subjekte që u konstatuan hapur pas orës policore si dhe drejtues mjetesh të cilët lëviznin pa leje jashtë fashës së orarit të lejuar.

Muaji shkurt nisi me shtim të gjobave. Deri më tani, Policia e Shtetit ka regjistruar mbi 7750 masa administrative për mosrespektimin e masave pandemike. Krahasuar me ditët e para të vitit, kemi një 3-fishim të numrit të gjobave. Kjo për faktin edhe të numrit të lartë të të infektuarve dhe alarmit të ngritur nga autoritetet shëndetësore.

Vetëm mbrëmjen e së enjtes u pezulluan 48 drejtues mjetesh. Këta të fundit u konstatuan pa lejen përkatëse gjatë orarit të ri të kufizuar i cili nisi që prej orës 20:00. Gjithashtu, janë ndëshkuar në të gjithë vendin, me nga 10 000 lekë, 19 qytetarë që sipas policisë lëviznin pa autorizim, pa ndonjë arsye të domosdoshme. Për dy javë në vazhdim do të ketë një kontroll më të rreptë te qytetarët për zbatimin e kufizimit të lëvizjes, që sipas autoriteteve shëndetësore pritet të ulë numrin e infektimeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos