Bizneset kundër masave të reja anti-covid, Muço: Nuk kuptohet logjika që virusi vjen në darkë dhe ikën në mëngjes

Nga A2 CNN
12 Shkurt 2021, 13:12 | Aktualitet
Bizneset kundër masave të reja anti-covid, Muço: Nuk kuptohet

Masat e reja anti-covid në Shqipëri, të vendosura nga komiteti i Ekspertëve, kanë sjellë kundërshtimin njëzëri të shoqatave të bizneseve.

Bujar Muço, nënkryetar i shoqatës së biznesit të vogël dhe të mesëm në Shqipëri, shprehet se biznesi në Shqipëri është duke kaluar vështirësi të mëdha dhe është në kushtet e mbijetesës.

“Ishte një vendim i gabuar dhe i nxituar, sepse biznesi i vogël dhe i mesëm ka rreth 1 vit që po kalon në krizë nga më të mëdhatë që po kalon në 30 vitet e fundit. Ne si shoqatë që në fillimet e para kemi dalë me propozimet konkrete për sa i përket menaxhimit nga ana e qeverisë të pandemisë”, tha Muço.

Sipas kësaj shoqate, përpos masave për kujdesin shëndetësor, qeveria shqiptare duhet të kishte hartuar paralelisht edhe një projekt ndihmues ekonomik.

“Për sa i përket masave që merren për shëndetin e njerëzve do ishim dakord po të ishte e alternuar me masa ekonomike ose me ndihma direkte siç e kanë vendet e rajonit. Biznesi i vogël dhe i mesëm orët e pikut të saj që kanë xhiro e kanë në darkë, kjo do të thotë që ulet norma e fitimit, kjo do të thotë që ne po falimentojmë. Ne propozojmë që orari të jetë aty ku ishte dhe të merren masa për sa i përket distancimit ose të ndihmohemi drejtpërdrejt. Nuk kuptohet logjika e qeverisë: Virusi vjen në darkë dhe ikën në mëngjes”, shtoi Muço.

Ende nuk ka pasur një njoftim nga kryeministri Rama apo ministria e ekonomisë në qoftë se do të ketë një ndihmë ekonomike për bizneset e prekura nga masat e reja, ashtu siç ndodhi në fillim të pandemisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos