
Presidenti amerikan Donald Trump shpalli gjendjen e emergjencës kombëtare për të mbrojtur rrjetet kompjuterike nga ata qe i quan “kundërshtarët e huaj”. Ai firmosi një urdhër që ndalon firmat amerikane të përdorin shërbimet e kompanive të huaja teknologjike, që dyshohet se përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare.
Në urdhër nuk përmendet ndonjë kompani, por besohet se shënjestra është gjigandi kinez Huawei. Disa vende, të kryesuara nga Shtetet e Bashkuara kanë ngritur shqetësimet gjatë muajve të fundit se produktet e Huawei-t mund të përdoren nga kina për përgjim. Uashingtoni i ka bërë presion aleatëve të përjashtojnë kompaninë teknologjike kineze nga rrjetet e gjeneratës së re, 5G.
Ndërkaq, në një tjetër zhvillim, Departamenti Amerikan i Shtetet e përfshiu Huawei-n dhe 70 prej partnerëve të tij në të ashtuquajturën “listën e zezë” të sipërmarrjeve tregtare. Masa e njoftuar nga ministri i tregtisë Wilbur Ross do ta bëjë më të vështirë për kompaninë kineze të blejë pjesë e përbërëse nga shoqëritë amerikane.
I menjëhershëm reagimi i Huawei. “Kufizimi i Huawei nuk do ta bëjë Amerikën më të sigurt e të fortë, por do të shërbejë vetëm për të kufizuar alternativat e Shteteve të Bashkuara, për t’i bërë ato më të kushtueshme, duke e lënë mbrapa vendin në përhapjen e 5G. Këto masa pritet të përkeqësojnë edhe më tej tensionet mes SHBA dhe Kinës, të përfshira tashmë në një luftë tregtare. Huawei ka qenë epiqendër e grushtit të hekurt mes Uashingtonit dhe Pekinit, që ka dominuar politikën globale gjatë vitit të fundit. (A2 Televizion)