Një tunel i posaçëm dezinfektues është instaluar në rezidencën zyrtare të presidentit rus Vladimir Putin, jashtë Moskës për ta mbrojtur atë nga koronavirusi.
Numri një i Kremlinit ka punuar nga shtëpia përmes videokonferencave, gjatë shpërthimit të pandemisë së covid-19, e vetëm pak persona janë lejuar të hyjnë atje.
Cilido që kalon përmes tunelit i nënshtrohet një dushi dezinfektues që mbulon veshjet dhe lëkurën e vizitorëve, siç tregohet edhe në një video të shfaqur nga agjencia e lajmeve RIA Novosti.
Agjencia thotë se njoftimi për instalimin e tunelit ishte bërë nga Ivan Belozertsev, guvernatori i rajonit Penza të Rusisë. Sipas tij, teknologjia ishte zhvilluar nga një kompani lokale e quajtur Motors Technologies, e cila monton pajisje për automjete dhe operacione industriale.
Në muajin prill, zëdhënësi i Putin Dmitry Peskov tha se çdokush që takohej me presidentin i nënshtrohej testit për koronavirus dhe ruante në mënyrë rigoroze distancën sociale. Vetë Peskov u shtrua në spital si pasojë e Covid-19 në muajin maj, e gjithashtu pjesëtarë të tjerë të kabinetit rus rezultuan pozitiv me koronavirus.
Rusia renditet e treta, për sa i përket numrit të të infektuarve në rang global, me më shumë se 550 mijë raste dhe 74 vdekje. Vëzhguesit vënë në dyshim raportimin e saktë të bilancit të viktimave nga sëmundja. (A2 Televizion)